Personi Fizik
- Legit

- Jun 9
- 2 min read
Updated: Jun 17
Përpara se të vendosësh të kryesh aktivitete tregtare, është e nevojshme që përtej shërbimit apo produktit që dëshiron të tregtosh, të mendosh pak edhe për strukturën ligjore që dëshiron të ketë biznesi yt. Në varësi të strukturës që ti zgjedh, normalisht rrjedhin edhe detyrime të caktuara qoftë ligjore apo financiare të cilat ndikojnë biznesin tënd si nga ana monetare ashtu dhe përsa i përket fleksibilitetit që struktura e zgjedhur të ofron në të ardhmen.
Format më të përhapura në vendin tonë janë Person Fizik (PF ose ndryshe Tregtari), Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.p.k.) dhe Shoqëritë Aksionere (Sh.a.). Ndërsa Shoqëritë e Thjeshta, Shoqëritë Komandite dhe ato Kolektive kanë një përhapje më të ulët. Normalisht për t’ju ardhur në ndihmë ne do të analizojmë të gjitha format e tyre njëra pas tjerës në mënyrë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme.
Tek ky artikull do e nisim analizën me formën e parë, pra Personi Fizik.
Aplikimi për tu pajisur me NIPT në këtë rast është procedura më e thjeshtë krahasimisht me të tjerat konsideruar që nuk të nevojitet pothuajse asnjë dokument dhe për rrjedhojë ka zero kosto për ta themeluar.
Gjithashtu, në këto raste duhet të mos harrojmë edhe dicka... fakti që një individ mund të ushtrojë aktivitet ekonomik, nuk do të thotë që do të trajtohet si Tregtar përpara ligjit. Ja psh:, fermeri i cili shet qumësht, edhe pse kryen një aktivitet ekonomik, nuk trajtohet si tregtar.
Nëse ti zgjedh të përdorësh këtë formë organizimi për biznesin tënd, kjo është forma më e thjeshtë konsideruar që nuk ka struktura të tjera administruese përvec vetë tregtarit. Edhe pse si PF ti mund të punësosh persona të tjerë për kryerjen e detyrave të caktuara, përfaqësuesi ligjor i kësaj forme mbetet vetë tregtari mbi të cilin bie përgjegjësia vendimmarrëse dhe administrative.
Përveç lehtësirave që ofron kjo formë organizimi, ka edhe anët e saj “negative”. Duhet të dish që çdo detyrim që ti si PF ke ndaj personave të tretë si pasojë e ushtrimit të aktiviteti ekonomik, për të gjitha këto ti përgjigjesh personalisht. Për ta ilustruar më thjeshtë, nëse ti ke marrë një X kredi në emër dhe për llogari të biznesit tënd, apo ke lidhur një kontratë me një biznes tjetër për X shërbime dhe ke shkaktuar dëm tek pala tjetër, për këto detyrime financiare, edhe nëse biznesi yt falimenton, ti do të vazhdosh të mbash përgjegjësi edhe me pasuritë personale që ti ke (qoftë ato ekzistuese apo ato që do të fitosh më vonë në të ardhmen) deri në përmbushjen e plotë të detyrimit.
Thënë sa më sipër, këtë formë organizimi do ta rekomandonim për ato profesione të cilat janë edhe vetë të rregulluara me ligj të posaçëm (si psh. avokatet) pasi kanë një shtresë ekstra mbrojtjeje ligjore përsa i përket përgjegjësisë dhe jo për profesionet apo shërbimet e tjera. Por si çdo fillim i cili është i vështirë si nga ana e njohurive ashtu dhe buxhetit, nise në këtë formë, por me rritjen tënde në biznes, do të të këshillonim të kaloje më pas tek një formë tjetër më e strukturuar dhe që mbart më pak risk personal për ty.






Comments