Kontrata e transportit
- Legit

- Jun 16
- 4 min read
Updated: Jun 17
Baza ligjore: Kodi Civil Shqiptar
Çfarë është kontrata e transportit? (nenet 877 & 880)
Me kontratën e transportit, transportuesi merr përsipër të transportojë nga një vend tjetër në një tjetër udhëtarë, mallra ose bagazhe, ndërsa udhëtari, dërguesi i mallrave ose bagazheve, detyrohet të japë për transport mallrat e kontraktuara si dhe paguajë çmimin e transportit.
A është kontrata e transportit konsensuale? (neni 884)
Kontrata e transportit është një kontratë konsensuale. Ajo do të quhet e lidhur nga çasti që është bërë dokumenti i transportimit dhe dërguesi i mallrave ka bërë pagesên e transportimit, përveç rasteve kur në kontratë apo në ligj parashikohet ndryshe.
Cila është forma e kontratës së transportit?
Kontrata e transportit është një kontratë formale dhe duhet të lidhet në formën shkresore. Megjithatë, forma e saj nuk kërkohet për efekt vlefshmërie të kontratës, por vetëm për efekt provueshmerie, sepse në qoftë se kontrata do të bëhej me gojë, atëherë ajo nuk mund të provohet me dëshmitarë.
Cili është shpërblimi i kontratës së transportit?
Kontrata e transportit është një kontratë me shpërblim. Në bazë të saj dërguesi i mallit është i detyruar t'i paguajë transportuesit çmimin e transportit në shkëmbim të kryerjes së shërbimit dhe të mbërritjes së mallit në destinacionin e caktuar, te pritësi.
A është kontrata e transportit një kontratë e dyanshme? (neni 887)
Kontrata e transportit është një kontratë e dyanshme. Ajo lidhet midis dërguesit dhe transportuesit. Në të paraqitet edhe pritësi i mallit. Pritësi nuk merr pjesë në lidhjen e kontratës, por megjithatë në momentin e dorëzimit të mallit ai hyn si palë në kontratë duke marrë përsipër të drejta dhe detyrime të caktuara. Të gjitha të drejtat që rrjedhin nga kontrata e transportit ndaj transportuesit i kalojnë pritësit që nga momenti kur pasi sendet kanë mbërritur në destinacion, pritësi kërkon marrjen në dorëzim nga transportuesi.
Cila është pozita e pritësit?
Pritësi nuk merr pjesë në lidhjen e kontratës së transportit dhe në të njëjtën kohë është në pritje derisa në destinacionin e tij të mbërrijë malli i nisur nga dërguesi. Megjithatë, në çastin e mbërritjes së këtij malli, ose në kohën kur ky mall duhej të mbërrinte sipas afatit të parashikuar në kontratë, pritësi nuk qëndron më pasiv, por hyn si palë në kontratë duke marrë përsipër detyrimet e tij. Si pêrfundim, kontrata e transportit nuk është një kontratë në dobi të personit të tretë dhe për rrjedhojë pritësi nuk është beneficiar.
Cili është afati i kontratës së transportit?
Kontrata e transportit është një kontratë me afat. Transportuesi merr përsipër qe të zhvendosë një mall të caktuar për në një destinacion të caktuar brenda një afati të parashikuar nga kontrata. Për çdo vonesë ai mban përgjegjësi civile për shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Cili është objekti i kontratës së transportit?
Objekti i kontratës së transportit është tërësia e veprimeve apo shërbimeve të kryera nga ana e transportuesit me qëllim që malli të mbërrijë në destinacionin dhe afatin e caktuar, dhe në të njëjtën kohë veprimet për pagimin e çmimit të transportit nga ana e dërguesit të mallit.
Cilët janë subjektet e kontratës së transportit? (neni 883)
Kontrata e transportit lidhet ndërmjet dy palëve: dërguesit dhe transportuesit. Dërguesi është pala që pasi ka kontraktuar me transportuesin, i dorëzon mallin transportuesit. Dërguesi duhet të përcaktojë në kontratë emrin e pritësit ose të marrësit, vendin e destinimit, llojin, peshën, sasine dhe numrin e sendeve që do të transportohen. Për mallrat që transportohen me transport ndërkombëtar, duhet që malli të shoqërohet edhe me dokumentin që tregon vendin e originës së tij. Dërguesi i mallit duhet t'i dorëzojë transportuesit një fletë-shoqërimi e cila duhet të përmbajë: emrin e dërguesit të mallit, vendqëndrimin dhe qendrën e punës se tij, vendin dhe daten e lëshimit si dhe të dhënat e mësipërme. Në momentin kur sendet që do të transportohen vihen në dispozicion të transportuesit, dërguesi zhvishet nga disponimi i tyre.
Transportuesi është pala tjetër në kontratë, e cila merr përsipër që me mjetet e veta të transportojë sende ose persona në një destinacion të caktuar brenda një afati të caktuar në kontratë. Transportuesi mund të jetë një person fizik ose juridik, i pajisur me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së mësipërme. Në të kundërt, çdo person që kryen një transport jashtë një veprimtarie të tillë, do ta bëjë këtë me anë të një kontrate sipërmarrje ose porosie. Transportuesi është i detyruar që pasi të marrë në dorëzim mallin e të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm ta transportojë atë deri në vendin e pritësit. Transportuesi përgjigjet, për dëmtimet apo humbjen e sendeve që ka marrë në ngarkim, në qoftë se humbja apo dëmtimi ndodh gjatë kohës që vazhdon transportimi i tyre. Në momentin që ai i dorêzon mallin pritësit, i kalon atij edhe të drejtën e disponimit të sendeve duke u zhveshur vetê nga kjo e drejtë.
Pritësi ose marrësi i mallit është një palë e cila merr përsipër detyrimet e saj në çastin kur deklaron se ka marrë në dorëzim ngarkesën e caktuar ose në momentin kur duhej ta merrte atë në dorëzim sipas afateve të parashikuara në kontratën e transportit. Nga ky moment, pritësi i mallit hyn si palë në kontratë.






Comments