top of page
  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
Search

Kontrata e sigurimit

Updated: Jun 17

Baza ligjore: Kodi Civil Shqiptar


Çfarë është kontrata e sigurimit? (neni 1113)

Me kontratën e sigurimit njëra palë (siguruesi), ne qoftë se vërtetohet ngjarja e parashikuar në kontrate (rasti i sigurimit), merr përsipër t'i paguajë palës tjeter (të siguruarit) ose një personi të tretë , në dobi të të cilit është lidhur kontrata, një shpërblim në të holla brenda kufijve të shumës që është parashikuar në kontratë, kundrejt një primi të paguar nga i siguruari. 


Cili është objeki i sigurimit?

Objekti i kontratës së sigurimit janë të gjitha veprimet në lidhje me pagimin e primit nga i siguari dhe të shpërblimit të sigurimit nga ana e siguruesit, si dhe vetë shumat në të holla të primit dhe të shpërblimit të sigurimit. Llojet e pasurisë që mund të sigurohen janë: sigurimi i shtëpisë së banimit, pasuritë e paluajtshme, jetën dhe shëndetin, pajisjet elektronike etj. 


Çfarë është pacaktueshmëria e sigurimit?

Kontrata e sigurimit të pasurisë karakterizohet nga pacaktueshmëria, sepse nuk dihet me siguri në kohën e lidhjes se kontratës nëse do të ndodhë apo jo rasti i sigurimit. Prandaj nuk dihet me siguri që do të përmbushen detyrimet e siguruesit ndaj të siguruarit. 


Cilat janë llojet e kontratës së sigurimit?

Kontrata e sigurimit të pasurisë dhe e jetës mund të jetë në dy forma: vullnetare, kur i siguruari me vullnetin e tij të lirë vendos të sigurojë pasurinë ose jetën e tij, dhe e detyrueshme, kur parashikohet nga dispozita të veçanta ligjore që duhet të lidhet në mënyrë të detyrueshme kontrata e sigurimit të pasurisë, për shembull, për automjetet , për ndërtesat pronë shtetërore që jepen me qira, për jetën e udhëtarëve në transportin rrugor etj. Kushtet e sigurimit të detyrueshëm përcaktohen nga qeveria.


Kur mbaron kontrata e sigurimit? (neni 1144)

Kontrata e sigurimit nuk ka fuqi juridike për pronarin e ri. Si përjashtim nga ky rregull janë sigurimi për automjetet. Kur një automjet do të tjetërsohet, kontrata e sigurimit ka fuqi juridike edhe për pronarin e ri. 


Cili është afati i kontratës së sigurimit? (neni 1124)

Në çastin e lidhjes së sigurimit palët duhet të përcaktojnë patjetër në mënyrë të shprehur afatin e sigurimit. Afati është në varësi të objektit që sigurohet, për shembull, për produktet bujqësore afati është jo më pak se gjashtë muaj, për ndërtesat e shtetasve afati është një - pesë vjetë etj. Por, afati më i praktikuar për kontratën e sigurimit të pasurisë dhe të jetës nga aksidentet është afati njëvjeçar. 


A mund të përtërihet sigurimi? (neni 1124 par 3 & 4)

Kontrata e sigurimit mund të ripërtërihet heshtazi disa herë, por çdo ripërtëritje nuk duhet të zgjasë më shumë se dy vjet. Kontrata e sigurimit të jetës nuk mund të ripërtërihet.


Kur hyn në fuqi sigurimi? (neni 1124 par 1 & neni 1125)

Kontrata e sigurimit fillon të sjellë pasoja juridike për të dy palët që nga ora 24 e ditës kur është paguar primi ose kësti i parë i tij dhe mbaron po në orën 24 të ditës së fundit të afatit të kontratës. Nëse primi i sigurimit nuk paguhet në afatin e caktuar në kontratë, sigurimi pezullohet deri në orën 24 të ditës kur paguhet primi . Në qoftë se siguruesi paguan primin e parë , por nuk paguan primet në vazhdim në afatet e caktuara, sigurimi pezullohet nga ora 24 e ditës së 15 pas mbarimit të afatit dhe siguruesi ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës.


Cilat janë palët në kontratën e sigurimit?

Palët pjesëmarrëse në kontratën e sigurimit quhen siguruesi dhe i siguruari. Por, në raste të veçanta kur e kanë parashikuar palët, mund të paraqitet edhe personi i tretë (beneficiari), në dobi të të cilit është lidhur kontrata. Në rolin e siguruesit janë shoqëritë e sigurimit. 


Kur quhet e lidhur kontrata e sigurimit?

Kontrata e sigurimit është një kontratë formale. Sigurimi quhet i lidhur kur dëshmia ose polica e sigurimit i dorëzohet të siguruarit kundrejt arkëtimit të primit të sigurimit tërësisht ose pjesërisht në llogari të siguruesit. Para se të bëhet lidhja e kontratës, i siguruari duhet të informojë siguruesin për çdo rrethanë që ai ka dijeni që mund të ndikojë në ndodhjen e rrezikut , përcaktimin e masës dhe të llojit të tij.


 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page