top of page
  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
Search

Kontrata e Sipërmarrjes

Updated: Jun 17

Baza ligjore: Kodi Civil Shqiptar


Çfarë është kontrata e sipërmarrjes? (neni 850)

Sipërmarrja është kontrata me të cilën njëra palë (sipërmarrësi) detyrohet, që me mjetet e saj dhe duke marrë përsipër rrezikun, të kryejë një vepër (punë), ose të bëjë një shërbim apo një zbatim të pavarur të punimeve, ndërsa pala tjetër detyrohet ta pranojë atë kundrejt çmimit të caktuar në kontratë.


Cilët janë subjektet?

Në kontratën e sipërmarrjes, subjektet quhen sipërmarrësi dhe porositësi/investitori. Porositësi është një subjekt fizik ose juridik që pasi paraqet kërkesat e tij, financon kryerjen e një veprimi te caktuar. Porositësi mundet të investojë jo vetëm në të holla, por edhe në natyrë, në materiale, toka, e të tjera. Sipërmarrësi është një person juridik ose fizik, i cili duhet të jetë i specializuar në kryerjen e një veprimi të caktuar si dhe i pajisur me licencë për ushtrimin e veprimtarisë që realizon. Sipërmarrësi dhe porositësi krijojnë komisionin e kolaudimit, që përbëhet nga përfaqësues të të dyja palëve dhe ka si qëllim ndjekjen e punimeve nëse janë sipas projektit dhe cilësisë së kërkuar.


Cili është objekti?

Kontrata e sipërmarrjes ka si objekt realizimin e një sendi të ardhshëm që do të jetë fryt i një pune të specializuar dhe profesionale të sipërmarrësit. Në disa raste të tjera sendi ose vepra ekziston materialisht, dhe duhet të transformohet në një formë tjetër. Materialet e nevojshme për punimet sigurohen nga sipërmarrësi. Por, palët me marrëveshje mund të vendosin edhe ndryshe, ku disa materiale të sigurohen pjesërisht nga njëra palë dhe pjesërisht nga pala tjetër, ose të sigurohet komplet nga vetë porositësi. 


Cilat janë mjetet e nevojitura për realizimin e sipërmarrjes?

Krijimi i sendit nga sipërmarrësi duhet të realizohet me mjetet e veta, si veglat e punës, pajisjet kryesore ose ndihmëse, të domosdoshme per krijimin e veprës së marrë përsipër. 


Çfarë është zbatimi i pavarur i punimeve? 

Zbatim i pavarur i punimeve nga sipërmarrësi nënkupton pasjen e cilësive profesionale për realizimin e punimeve, për të zgjedhur materialet e duhura e për të vendosur për prezencën e elementeve të origjinalitetit të veprës, si dhe pavarësia e sipërmarrësit që ai të ketë edhe cilësitë e duhura profesionale për të menaxhuar vështirësitë e punës. Sipërmarrësi duhet të aktivizojë një personel të caktuar, të specializuar e të kualifikuar, të përbërë nga punëtorë, specialistë, arkitektë e mbikëqyrës, me të cilët lidh kontratat përkatëse.


Cili është dokumentacioni i nevojshëm?

Në çastin e lidhjes së kësaj kontrate sipërmarrësi duhet të ketë një dokumentacion të plotë të punimeve, i cili përgatitet në pjesën më të madhe të tij nga ana e sipërmarrësit. Në të përfshihen situatat dhe preventivat e shpenzimeve të veprës, projekti, skicë-ide, modeli sipas të cilit do të bëhet vepra, leja e ndërtimit, leja nëse sheshi i ndërtimit është i lirë (në rastet kur toka është pronë shtetërore e marrë sipas një kontrate apo akti administrativ ligjor), vërtetimi hipotekar i pronësisë së tokës kur toka është pronë private e porositësit, e të tjera. 


Cila është forma? 

Kur kontrata e sipërmarrjes lidhet për krijimin e një sendi të paluajtshëm, duhet të bëhet me akt noterial, sepse me materializimin e sendit të paluajtshëm do të kalojë edhe e drejta e proněsisë mbi të përmes Kontratës së Shitjes, gjë që duhet të pasqyrohet edhe në regjistrin e pasurive të paluajtshme; 

Në rastin kur sipërmarrja kryehet nën procedurat e prokurimit publik, kërkohet forma shkresore për efekt të administrimit të fondeve publike. 


Cili është shpërblimi? 

Çmimi caktohet me marrêveshje të palëve dhe nëse ato nuk janë marrê vesh shprehimisht në kontratë për të, çmimi do të caktohet në bazë të tarifave ekzistuese ose sipas zakoneve të vendit ku do të kryhet vepra, puna apo shërbimi. 


Çfarë është nënsipërmarrja?

Në rastin kur sipërmarrësi lidh kontrata nënsipërmarrje, për cilësinë e punimeve, ai përgjigjet vetë para porositësit. Ky është një nga rastet e përgjegjësisë pa faj, sepse sipërmarrësi merr përsipër përgjegjësinë për të metat e kryera nga persona të tjerë. 


Cilat janë rastet e mbarimit të sipërmarrjes?

Kontrata e Sipërmarrjes mund të përfundojë me kërkesën për zgjidhjen e saj nga secila prej palëve. Porositësi mund të tërhiqet nga kontrata edhe pa asnjë arsye përsa kohë që kompenson sipërmarrësin për shpenzimet që ai ka kryer, punimet e bëra si dhe fitimin e munguar. Kjo kontratë mund të zgjidhet gjithashtu edhe në ato raste kur zbatimi i veprës objekt kontrate bëhet objektivisht i pamundur.

Rast tjetër i përfundimit të kontratës është edhe vdekja e sipërmarrêsit, edhe pse kjo ndodhi nuk shënon zgjidhjen e kontratës së sipërmarrjes, përveç rasteve kur personi i sipërmarrësit do të vlerësohet si i domosdoshëm për kryerjen e punimeve (psh sipërmarrësi është piktor, skulptor, etj.). Kur trashëgimtarët e sipërmarrësit janë të tillë që nuk mund t'u besohet kryerja e veprës në cilësinë e duhur, porositësi ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata. Në këtë rast ai duhet t'u paguajë trashëgimtarëve vlerën e veprës së kryer dhe shpenzimet e kryera për ekzekutimin e pjesës së mbetur pa u kryer ende. 


 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page